Bashkia e Tiranës hap garën për ndërtimin e Terminalit të
Transportit 15. 5 mln euro me koncesion PPP, 19/09/2016

Bashkia e Tiranës
hapi garën për ndërtimin e një Terminali të ri të Transportit Publik, nëpërmjet koncesionit me Partneritet Publik
Privat (PPP). Terminali do të jetë i vendosur në një sipërfaqe 85,000 metra
katrorë përgjatë Autostradës Tiranë-Durrës dhe vlera e investimi parashikohet
15,5 milionë euro.

Bashkia e Tiranës i
ka ftuar Operatorët Ekonomikë në një procedurë ndërkombëtare tenderimi për
Partneritetin Publik Privat, për hartimin e detajuar dhe zbatimin e ndërtimit
të Terminalit të Ri dhe mirëmbajtjen, si
dhe menaxhimin e mëvonshëm. Bashkia e Tiranës sqaron se autoriteti kontraktor
do të marrë parasysh vetëm ofertat e atyre tenderuesve apo konsorciumet e
tenderuesve, të cilët kanë kaluar kufijtë minimalë, të përcaktuara në kriteret
e kualifikimit.

Gjatë ndërtimit të
terminalit, Bashkia e Tiranës bën me dije se ka si objektiv përmirësimin e
lëvizshmërisë së përgjithshme, duke siguruar një terminal me kapacitet të plotë
transporti, ku autobusët ndërqytetës do të shkarkojnë pasagjerë për në autobusë
urbanë dhe taksi përgjatë korridorit kryesor të qytetit në pjesën veriore,
perëndimore dhe jugore të vendit, duke zvogëluar kështu bllokimet e trafikut në
qendër të qytetit, përmirësimin e ndotjes së ajrit dhe reduktimin e konsumit të
karburantit për transport publik.

Autoriteti
Kontraktor do të ofrojë një truall prej 85,000 metra katrorë, vendosur për
gjatë korridorit kryesor që çon në veriperëndim, nga qyteti në drejtim të
Durrësit, truall i cili do t’i kontraktohet në baza afatgjatë ofertuesit fitues
për të ndërtuar, për të operuar dhe për të ruajtur terminalin për të mirën e
operatorëve dhe udhëtarëve. Në shkëmbim, të gjitha tarifat e vendqëndrimit të
autobusëve, të ardhurat e qiradhënies me pakicë dhe tarifat e parkimit, do të
arkëtohen nga kompania që do të fitojë garën për ndërtimin e terminalit.

Bashkia e Tiranës
përcakton se tenderimi për kontratën është i hapur për firmat dhe sipërmarrjet
e përbashkëta të firmave të çdo vendi të cilat plotësojnë kushtet dhe kriteret
e parashikuara në Shtojcën 9, e cila nuk është bërë publike.